Ish-presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, nuk mendon se përkatësia kombëtare e popullatës shumicë ka bërë që Kosova dhe Shqipëria të jenë vendet e vetme në rajon që kanë ngelur shumë mbrapa anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për gazetën Tribuna, ish-presidenti që tash ka bërë subjektin e tij politik në Shqipëri, Frymën e Re Demokratike, ka thënë se rruga e integrimit të Kosovës në BE është më e vështirë për shkak të specifikave politike, derisa ajo e Shqipërisë, sipas tij, do të duhej të ishte më e lehtë.“Nëse në rastin tuaj ka edhe elemente të tjera, në Shqipëri fajtori i vetëm që vendi nuk është kandidat për anëtarësim në BE, janë politikanët shqiptarë. Nëse do të demonstronim një politikë më të matur dhe më të kujdesshme, standardet do të ishin realizuar më shpejt. Duhet ndarë sa i përket integrimit ndonëse fizionomia e politikanëve është deri diku e ngjashme”, – ka thënë Topi. Ngjashmëria e politikanëve në Kosovë e Shqipëri, sipas tij, ka të bëjë me përpjekjen e secilit për të tërhequr gjithçka tek “parcela e tij politike”, shpesh edhe duke harruar se janë disa çështje të interesit kombëtar, që janë më të rëndësishme se këto parcela. Si pyetje realizohet lehtë por përgjigjja është komplekse. Ne si Frymë e re Demokratike ishim të bindur se Shqipërisë i duhet një rotacion politik. Pasi qeveria e mëparshme filloi dhe shfaqi në mënyrë të dukshme probleme që lidheshin së pari me funksionimin demokratik të qeverisjes në raport me institucionet. Unë kam qenë një nga ata njerëz që i kam përjetuar drejtpërdrejt këto defekte, sepse një pjesë të qeverisë së djeshme unë e kalova si president i vendit. Pastaj pati defekte në realizimin e atij programi që e kishte premtuar qeverisja e djeshme. Sot ne si parti jemi pjesë e opozitës por nuk kemi ndonjë komunikim me atë që konsiderohet opozita institucionale në parlament. Këndvështrimi ynë është i qartë. Ndryshe nga partitë tjera politike ne i jemi përkushtuar funksionimit të institucioneve. Ne kemi një paketë reformash që do ta realizonte shtetin e së drejtës. Ju më pyetët për qeverisjen aktuale. Ne jemi të vetëdijshëm që kjo qeveri trashëgoi shumë probleme, por edhe qeveria e tashme ka vend për t`u kritikuar pasi që e filloi punën shumë vonë. Dikasteret kanë boshllëqe. Funksionimi është ende me defekte. Ne bëjmë opozitë ndryshe.