Autoriteti i Mediave Audiovizive kërkon nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë marrjen e masave për fillimin e procedimit disiplinor ndaj Artur Gaxhi, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar të “AMA-s”, AMA është palë e paditur në çështjen administrative me palë paditëse shoqëritë “Digitalb” sh.a., “Top Channel” sh.a., “Media 6” sh.a. Pavarësisht kërkesës së AMA-s se çështja nuk është në juridiksion gjyqësor, pasi subjektet audiovizive nuk kanë ezauruar ankimin administrativ, kërkesa nga ky gjyqtar nuk u mor parasysh. Sipas AMA-s, “për shkak të vendimit të marrë nga gjyqtari Gaxhi, i cili vendosi pezullimin e zbatimit të vendimeve të AMA-s, si pasojë edhe pezullimin e procedurës së licencimit të rrjeteve numerike private kombëtare sipas beauty contest-it, shteti shqiptar rrezikon mosrespektimin e angazhimeve ndërkombëtare si dhe shkeljen e afateve të përcaktuara në marrëveshjet ndërkombëtare dhe legjislacionin e brendshëm për kalimin në transmetimet numerike. Sipas këtyre akteve, afati përfundimtar i kalimit në transmetimet digjitale është data 17 qershor 2015. Vendimin e pezullimit të garës AMA e konsideron në shkelje të hapur të vendimit Unifikues të Gjykatës së Lartë, nr 3, datë 06.12.2013.” Për më tepër thuhet në njoftim, për shkak të vendimit të gjyqtarit Artur Gaxhi, nga vonesat në lirimin dhe shfrytëzimin e spektrit të Dividentit Digjital, privohen gjithë shtetasit shqiptarë nga marrja e shërbimeve të teknologjive të avancuara, tashmë të përdorura gjerësisht në Evropë, si dhe cenohet një nga liritë themelore të njeriut, siç është liria për informim e shtetasve shqiptarë.”