Ndeshja me Livornon ishte e rëndësishme për Juventusin, për t’u rikthyer në krye të Serisë A, por mbi të gjitha ishte e rëndësishme për Gianluigi Buffon, që ndaj toskanëve regjistroi përfaqësimin e tij të 500 në Serinë A, një shifër e arritur nga shumë pak futbollistë, dhe që e ngjit Buffon mes perëndive të lojës në Itali.Buffon debutoi në Serinë A pothuajse 18 vjet më parë, më 19 nëntor 1995 ndaj Milanit. Asokohe mbante veshur fanellën e Parmës, me të cilën u bë dhe i njohur në futbollin italian, përpara transferimit te Juventus. Te verdheblutë luajti në total 168 ndeshje duke fituar Kupën Uefa, Kupën e Italisë dhe Superkupën, por shpërthimin e vërtetë do ta kishte pas vitit 2001 kur u transferua te Juventus për shumën rekord të 51 milion Eurove, duke zëvendësuar pikërisht Edwin Van Der Saar mes dy shtyllave. Me bardhezinjtë luan 332 ndeshje në kategorinë më të lartë të futbollit italian, ndërsa për një sezon mbron dhe portën e torinezëve në Serinë B. Në Torino fiton katër tituj kampion, është finalist në vitin 2003 në Champions dhe gjithashtu bëhet dhe numri 1 i portës në Itali, duke ngritur lartë dhe Kupën e Botës në vitin 2006. Vlerësohet nga të gjithë si një prej portierëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, duke rrëmbyer dhe trofe personal si portieri Europian më i mirë për vitin 2003, duke fituar çmimin Lev Yashin në 2006 dhe gjithashtu duke u bërë pjesë dhe e listës së 100 futbollistëve më të mëdhenj të të gjithë kohërave. Shifrat për të flasin qartë, në 500 ndeshje ka pësuar vetëm 431 gola, prej të cilëve 272 i ka nxjerrë nga porta e bardhezinjve në 332 përfaqësime. Sa për të kuptuar madhështinë e tij, me fanellën bardhezi në fushat e Italisë ka kaluar plot 741 orë e 30 minuta, e cila është e barazvlefshme me një muaj të plotë, që e kanë shndërruar atë në një legjendë në historinë futbollistike të Juventusit por dhe të vendit të Apenineve.