Ish i dënuari politik takon Ramën, kryeministri i premton një vend pune TIRANË-Kujtim Kaziu, një ish i dënuar politik që ka tentuar dy herë të vetëdigjet me benzinë ka takuar jashtë ambienteve të Parlamentit, dora vetë kryeministrin Edi Rama. Kamera e News24 mori në fokus Kaziun tek takohet një cast me kreun e qeverisë. Duke lexuar gjuhën e trupit ndaj dy personazheve duket që ish i përndjekuri po i lutet Ramës për dicka. Kryeministri mundohet ta qetësojë. Pasi e dëgjon të flasë Kaziun, Rama i është përgjigjur dhe qetësisht i është drejtuar më pas hyrjes së Parlamentit. I pyetur nga gazetarët rreth bisedës që zhvilloi me kryeministrin, Kaziu tha: “Sic e patë, më hodhi dorën në qafë, më tha, që do të më gjejë një punë. I thashë, Dua një rrogë të mbaj fëmijët. Nuk me tha cfarë lloj pune do më gjente, më tha që ka punë, dhe do më gjejë një vend pune. Ta gjej unë, tha. Po nuk pranoj me 150 mijë lekë të vjetra në muaj, nuk shkoj i thashe dua punë shteti me 300 mijë lekë e sipër. Kam për të mbajtur familjen, jam kryefamiljar. Sa do e mbajë fjalën, nuk e di”. Nëse do e marrë ose jo këstin e mbetur të dëmshpërblimit, Kaziu tha se nuk diskutoi aspak për këtë cështje, por vetëm se i drejtoi kërkesë kryeministrit për një vend pune. Kujtim Kaziu është një personazh tepër i njohur në median shqiptare. Si ish i përndjekur politik ai ka protestuar vazhdimisht për mosmarrjen në kohë të dëmshpërblimit për vitet e mbetura të burgut. Protesta e tij ka shkuar deri në vendime ekstreme duke tentuar të vetëdigjet me benizinë publikisht gjatë transmetimeve live në televizion. Në cdo moment ai është ndaluar nga miq, por Kaziu shprehet se nëse nuk gjen zgjidhje të shpejtë të problemeve të tij të krijuara pas viteve të burgut, do i japë fund jetës.