Kuvendi diskuton dekretin e Nishanit për ILDKP. PD: Duam Komision Hetimor për drogën TIRANE -  Cështja e grevës së urisë së punonjësve të larguar nga puna dhe trafiku i drogës kanë qenë kërkesa të opozitës sot në nisje të punimeve të seancës parlamentare të radhës. Deputetët kundërshtuan rendin e ditës, duke kërkuar që Parlamenti të trajtojë fillimisht kërkesën e opozitës për ngritjen e një Komisioni të ri hetimor për çështjen e drogës. Vëmendja u përqëndrua dhe tek greva më cadra para ambienteve të kryeministrisë. Reagojnë Brace e Ruci.   ILDKP, HALIMI: SYNONI TË UZURPONI INSTITUCIONET   Ora 14:15 -  Debate në Kuvend për dekretin e Presidentit Nishani për projektligjin për ILDKP. Deputeti Eduard Halimi akuzoi shumicën për uzurpim të institucioneve të pavarura duke i marrë kompetencat kreut të shtetit.  “Sot nuk është çështje emrash kush është në krye e kush do të jetë nesër, ligjet nuk bëhen për emra. Ajo që propozon qeveria është e qartë t’ia heqim kompetencën presidentit për të propozuar drejtuesin e ILDKP-së dhe t’ia japim kryeministrit. Etja për pushtet ju bën të mos pyesni as për ligj as për Kushtetutë”- deklaroi Halimi.  DEBATE PËR AMA   Ora 13:30  - Kuvendi diskutoi në seancën e sotme projektvendimin ‘për shpalljen e vendit vakant të kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive’ (AMA).  Deputetët e opozitës e konsideruan p/vendimin një përpjekje të maxhorancës për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura. Sipas tyre kreut aktual të AMA-s, Endira Bushati, po i ndërpritet mandati në mënyrë të paligjshme, pasi shumica shqetësim kryesor ka zaptimin e frekuencave nga operatorë të caktuar.  “Me këtë akt maxhoranca po shkel parimin e integritetit të AMA-s, duke synuar ta kthejë në një institucion të kontolluar prej saj, krejt ndryshe nga ajo që parashikohet në ligjin e miratuar vitin e kaluar, për funksionimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive”, tha deputetja e PD-së, Eleni Qirici.  Sipas saj, pas vendimit të sotëm për AMA-n qëndrojnë interesa të pastra financiare dhe klienteliste, për ta detyruar Kuvendin të votojë një vendim në shkelje të ligjit dhe duke bërë një vlerësim jo korrekt të AMA-s.  Deputetë të maxhorancës argumentuan se kryetarja aktuale e AMA-s, Endira Bushati ka qëndruar në këtë pozicion pa mandat, gjë që është konstatuar dhe nga komisioni i Ligjeve dhe nga Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura Kushtetuese.  Deputeti i PS-së, Fatmir Toçi në diskutimin e tij tha se e njëjta situatë si tek AMA është dhe në Radiotelevizionin Shqiptar, ku opozita që nga shtatori i kaluar po mban të bllokuar zgjedhjen e anëtarëve të rinj te Këshillit Drejtues.  DISKUTIMET PËR RENDIN E DITËS   Ora: 11:40 - Meta:  Ne e diskutuam këtë çështje dhe në konferencën e kryetarëve. Parlamenti për çështjen në fjalë e ka një komision hetimor, ku opozita mori pjesë, por më pas vendosi të largohet për arsyet e saj. Kemi dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila përfaqëson një temë tjetër debati dhe në këtë kuadër por në përgjithësi për komisionet hetimore. Edhe kërkesa juaj është në rendin e ditës.  Topalli:  Nuk fillon sot dhe nuk jemi në vitin 0 që fillon një rregullore e re për parlamentin. Praktika parlamentare kthehet në norme të ligjit mbi të cilin funksionon gjithë veprimtaria parlamentare. Nuk ka ndodhur kurrë që kalendari të vendoset në rendin e ditës, nuk ka ndodhur që rendin e ditës ta bëjë kryetari pa rënë në ujdi me grupet e tjera parlamentare. Na pëlqen apo s’na pëlqen, komisionet parlamentare janë e drejtë e opozitës. Ruani vizat, me atë që po ndodh me trafikun e drogës rrezikohen vizat. Kjo është tjetër arsye që kjo temë emergjente duhet vendosur si pikë e parë e rendit të ditës.  Meta:  Nuk do jap përgjigje për një deklaratë që se kam bërë kurrë, se nuk do ngrihet komision hetimor. Kemi një renditje këtu dhe nuk ka asnjë arsye pse të mos e respektojmë këtë renditje. Pyesim grupin e mazhorancës, zoti Ruci çfarë qëndrimi keni ju?  Ruçi:  U bë e disata seancë që gjejmë sebepe për ta penguar seancën. Nëse është bërë një praktikë që para rendit të ditës diskutohet programi apo kalendari, kjo nuk thuhet as në program. Zonja Topalli vetëm t’i s’mund të japësh leksione për praktikë parlamentare se e ke bërë lëmsh. Rendi i ditës që kemi sot në seancë bën pjesë në kalendarin e miratuar nga ky parlament javë më parë. Do përfundojmë rendin e ditës dhe pastaj do përcaktojmë piketat për katër javët që vijnë. Prandaj ju lutem procedoni me pikën e parë të rendit të ditës.  Meta:  Mos e humbi durimin, të vazhdojmë punën normalisht, kërkesat tuaja janë të gjitha në rendin e ditës, ne do ta fillojmë me ligjet, se ligjet janë më të rëndësishme.  Berisha:  Kjo tregon vështirësitë e tmerrshme që ju ndjeni. Ti nuk mund të thyesh një traditë parlamentare për shkak të fobirave, zërave të brendshëm dhe faktorëve të tjerë. Kjo nuk mund të bëhet kështu me parlamentin. Nuk ka diskutim që precedenti është i barabartë me ligjin në këtë rast. Si mund të keni frikë nga fjala, se do marrë opozita 3 minutëshin e diskutimit në kalendar. Nuk veprohet në këtë mënyrë, nuk i shpëtohet dot fjalës jo. Fjala kundërshtohet me argumente por jo në këtë mënyrë. Nuk mund të thyeni një normë parlamentare 23-vjeçare.  Meta:  Këtu nuk ka asgjë të turpshme, përkundrazi. Ne nuk kemi frikë nga fjala e lirë. Parlamenti ka dhe një praktikë të re të panjohur më parë, se ky është problemi juaj që nuk duroni dot, prandaj duhet t’i merrni gjërat me qetësi. Dhe kjo praktikë është kërkohet fjala për procesverbalin dhe asnjëri nuk ka vërejtje dhe të gjithë vazhdojnë flasin për gjërat që u interesojnë, për çështje krejt të tjera, duke shmangur fokusin e punës së parlamentit që ka të bëjë me diskutimin dhe miratimin e akteve dhe ligjeve. Askush nuk ka frikë nga 3 minutëshi, ju e dini që për juve pothuajse nuk ka fare kufizim. Por nëse ju nuk duroni të diskutoni në kohën e duhur kjo është një çështje tjetër.  Berisha:  Në parlament ekziston një traditë, padiskutim që pakicat përdorin fjalën edhe për bllokim. Ju nuk duhet të çuditeni se pse opozita përpiqet të gjejë çdo hapësirë, por parlamenti nuk është bllokuar asnjë ditë, ligjet janë votuar. Kjo është një normë e parlamentarizmit. Ju duhet të keni durim, sigurisht opozita do të bëjë gjithçka të përdorë fjalën dhe të shfrytëzojë hapësirën. Ju doni të ikim nga parlamenti siç iknit ju, ne nuk ikim.  Meta:  Nuk duhet t’ju shkojë mendja që ne duam që ju të ikni nga parlamenti se ne na duket bosh parlamenti kur ikni ju. Faleminderit që do të qëndroni, kështu e ndihmoni dhe demokracinë.  Paloka:  Nëse nuk e pranoni kërkesën tonë kërkojmë 5 minuta pushim si grup parlamentar për të vendosur për këtë çështje  Meta:  Atëherë 10 minuta pushim.  BERISHA: TMERR ËSHTË KUR KE AMNEZI NGA DROGA   Ora 11:20 -Tmerr është kur ke amnezi nga droga, por kur tmerr droga memorien je i pashpresë. Z bashkëkryetar shqiptarët e kanë shumë të qartë sesi bashkëkryetari nisi grevën për të mos marrë viza, por bëri fshehtas hapi kutitë të clirojmë vizat ishte motoja publike e tij. Midis të gjithave Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat.  BRAÇE: VIJON TË SHFAQET AMNEZIA   Ora 11:15 -Vazhdon të shfaqet sëmundja e amnezisë. Në maj ishte greva në maj, po bëhet kjo grevë. Ja ku kam procesverbalin.  BERISHA: FALANGA TË KRIMIT ME URDHËR TË POLICISË U MORËN BATANIJET GREVISTËVE   Ora 11:10 -“Mbrëmë me urdhër të Edieskobarit tuaj, falanga krimi me urdhër të policisë janë vërsulur mbi ish-punonjës të administratës shtetërore, të shkarkuar në mënyrë arbitrare, jo vetëm u morën shtroje e mbulojë, por shpallën sekuestrimin e tyre. Baronët e drogës që krijuan autostradat e drogës, shpallën sekuestrimin cadrave të grevës së urisë. Kjo është një histori turpi e vetëm turpi. Ata që mendojnë se greva dëmton marrjen e statusit gënjejnë. E kundërta dëmton statusin”.  BERISHA: TË NGRIHET KOMISION HETIMOR I RI PËR DROGËN   Ora 11:05 -Deputeti demokrat Sali Berisha kërkoi që Parlamenti të nxjerrë sot si cështje të parë të rendit të ditës, ngritjen e një Komisioni Hetimor për drogën.  “Nuk mund të veprohet me hile dhe dinakërira në këtë mënyrë. Nxirrni në cështje të parë cështjen e krijimit të komisionit për drogën. Filloni diskutimin me këtë cështje sepse është bërë dhe bëhet emergjencë dhe është e domosdoshme sinjali që japin sot për partnerët tanë. Preokupim absolut të parlamentit ndaj këtij problemi emergjent. Nuk mund të fshihemi në këtë mënyrë dnaj kërkojmë nga ju që si cështje e parë e rendit të ditës të jetë krijimi i komisionit, propozimi i opozitës”.  PALOKA: GREVA PËR BUKËN E GOJËS, ZBATONI LIGJIN E VENDIMET E GJYKATAVE Ora 10:40 -  Në nisje të seancës plenare, deputetët e Partisë Demokratike e kthyen vëmendjen në grevën e urisë që po zhvillohet pranë selisë së kryeministrisë, duke i kërkuar qeverisë që të zbatojë ligjin dhe vendimet e gjykatave, për të rikthyer në punë punonjësit e shkarkuar nga administrata. Në emër të grupit të PD-së, Edi Paloka akuzoi qeverinë se po shkel ligjin dhe Kushtetutën, duke përdorur policinë për të dhunuar të drejtat e qytetarëve.  “Ju pasi i latë pa bukë tani doni t’i merrni dhe shpirtin, nuk presim gjë prej jush. Janë aty për bukën e gojës për të drejtat. Kryeministri ka detyrimin, kjo qeveri ka detyrimin kjo mazhorancë ka detyrimin që të zbatojë ligjin, vendimet e gjykatës dhe tu japë atyre të drejtën që u takon”- deklaroi Paloka.  RENDI I DITES Mblidhet Kuvendi. Në rend dite për diskutim janë një numër çështjesh, që pritet të shoqërohen me debate. Krahas pr/ligjit “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, axhenda e parlamentit përmban dhe miratimin e pr/rezolutës “Për vlerësimin e punës së institucionit të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2013?, si dhe disa projektvendime.  Kështu sot pritet miratimi i pr/vendimit “Për publikimin e shpalljes së vendit vakant të kryetarit të AMA-s”, pr/vendimi “Për vendimmarrjen e Kuvendit lidhur me institucionin e Komisionit të Shërbimit Civil dhe zgjedhjen e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil’; dekreti i Presidentit “Për kthimin e ligjit për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për ILDKP-ne, si dhe dekreti “Për emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë të zotit Alaudin Malaj”.