Seanca ndaj Frrokut, dëshmitari: Nuk kam parë asgjë, lokali ka kamera TIRANE-  Në seancën e radhës gjyqësore në ngarkim të Arben Frrokut, i cili akuzohet për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, ka dëshmuar kamarieri dhe një nga klientët e lokalit para të cilit u qëllua Lamaj. Në dëshminë e tij Arlind Aliaj ka pohuar se ishte duke punuar kur ka dëgjuar krisma armësh, por nuk kishte parë gjë.  “E mbaj mend vrasjen e Lamajt, isha në lokal. Kur ndodhi ngjarja ishte ora rreth 18:30”-ka rrëfyer në seancën e gjyqit dëshmitari Arlind Aliaj. Sipas dëshmisë së tij, Dritani po vinte drejt lokalit në momentin kur u qëllua, ku shumë persona dolën nga lokali dhe i dhanë ndihmën.  Sipas dëshmitarit, në lokal gjatë momentit që ka ndodhur atentati kanë qenë rreth 20 persona. “Lokali ka kamera, nuk e di nëse i ka marrë policia. Dritan Lamaj u vra te cepi i lulishtes së lokalit”- rrëfehu më tej Arlind Aliaj. Ndërkohë, dëshmitari Armando Myftari, klient në lokal ka rrëfyer se ka qenë duke pirë kafe kur dëgjoi të shtënat. “ Pashë një makinë gri dhe xhamat që u thyen, pas të shtënave, pashë të shtrirë Dritanin. E morëm dhe e dërguam në spital.”-tha më tej Lamaj.  Kryekomisari Dritan Lamaj u ekzekutua me 12 plumba pranë shtëpisë së tij në zonën e “Vasil Shantos”, pak metra larg nga apartamenti ku banonte. Biznesmeni Frroku u arrestua në Selanik të Greqisë 24 orë pas ngjarjes së rëndë dhe vetëm pak muaj më parë u ekstradua drejt Shqipërisë.