Shkatërrimi i grupit të tritolit, Policia: Kapëm sasinë më të madhe të CA TIRANE-  Policia e Tiranës ka bërë të mundur kapjen e sasisë më të madhe të eksplozivit C4 që është arritur ndonjëherë në vendin tonë.  Lajmin e bëri të ditur Kreu i Policisë së Kryeqytetit, Ardian Çipa, I cili nëpërmjet një deklarate për shtyp bëri të ditur se suksesi i policisë erdhi falë një pune operative të mirëorganizuar dhe një hetimi profesional të shtrirë në një hapësirë kohore prej disa muajsh, u arrit të organizohej dhe finalizohej operacionit me emrin e koduar “Porosia”.  Si rezultat i këtij operacioni u arrit sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme lënde eksplozive si dhe arrestimi në flagrancë i 4 shtetasve, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.  Operacioni është finalizuar në rrugën “Sadik Petrela”, në Tiranë në momentin e shit-blerjes së lëndës eksplozive nga ana e pjesëtarëve të dyshuar të grupit kriminal. Të arrestuarit janë:  • Ilir Perikli Dhimo, 36 vjeç, banues në Krujë,  • Pëllumb Xhemal Daci, 46 vjeç, banues në Krujë,  • Emild Kasëm Taku, 27 vjeç, banues në Tiranë,  • Artur Adem Çelo, 40 vjeç, banues në Tiranë,  Këta shtetas janë kapur në kushtet e flagrancës gjatë momentit të shitjes së sasisë eksplozive C4 dhe gjatë ndërhyrjes policore kanë tentuar të largohen për t`ju shmangur arrestimit.  Më pas është proceduar me kontrollin e banesave të tyre, ku janë gjetur dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:  • Eksploziv plastik C4 96 kg  • Fitil detonator 37 kg  • Ndezësa të minave 3744 copë  • Kapsolla detonatore 2927 copë  • Kapsolla detonatore elektronike 387 copë  • Kapsolla elektronike detonatore me trup bakri 101 copë  • Kuti plastike 521 copë  • Një sasi e konsiderueshme kapsolla detonatore të ndryshme  • 200 metër linear fitil zjarr përcjellës  • 2 Tamburo  • 2 tufa përcjellësi elektrik  • Si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh për armë si mitraloz, automatik model 56 si dhe pistoleta model TT.  Grupi hetimor vazhdon punën për hetimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal si dhe dokumentimin e veprimtarisë së paligjshme të kryer më parë nga këta shtetas. Materiali procedural do ti referohet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.