Kryebashkiaku Gjika shkëmben SMS me vartësen në gjyq -FOTO TIRANE-Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, edhe pse nuk ishte i pranishëm në procesin që po zhvillohet ndaj tij në Gjykatën e Tiranës, duket se nuk ka humbur asnjë detaj të tij. Madje, me një shpejtësi të jashtëzakonshme ai ka mësuar gjithçka ndodhte, përmes bisedës së bërë me një prej vartëseve të tij, e cila ishte thirrur si dëshmitare nga Prokuroria. Anila Cukani, drejtoreshë juridike pranë Bashkisë së Vlorës, menjëherë pasi dha dëshminë para gjykatësit Arben Micko, u ul në stolat ku qëndron publiku dhe filloi të komunikonte me nr. 0682000510, i cili nga verifikimet rezultoi se i përket kryetarit të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika. Biseda është filmuar nga kamera e “News 24” dhe, ndër të tjera, Gjika e pyet vartësen e tij se si vajti seanca. “Pyetjet dhe përgjigjet sipas atyre në prokurori! Normale, nuk u hapën më tej”, – i përgjigjet Cukani. Mandej, qytetari i parë i Vlorës kërkon të dijë nëse avokatët i bënë ndonjë pyetje. Gruaja i përgjigjet që jo, dhe më pas e informon se “tani është Musta”. Bëhet fjalë për dëshmitarin tjetër, Ardian Musta, i cili ndërkohë po jepte dëshminë e tij. Biseda vijon dhe gruaja në një moment shprehet “bëra shaka, mos e merr seriozisht”. Nga filmimi nuk duket qartë për çfarë ka bërë shaka dhe çfarë konkretisht ka biseduar me Gjikën, por gjithsesi i kërkon të mos e marrë seriozisht çfarë ajo i ka shkruar. Anila Cukani, në fakt, përgjatë rrëfimit të saj nuk dha detaje që mund t’i shërbenin shumë gjykatësit Arben Micko lidhur me çështjen. “Nuk mbaj mend që në Këshillin e Rregullimit të Territorit të ketë kaluar ndonjë leje pa miratimin e këshillit teknik”, – tha Cukani. gjika sms Dëshmitari i dytë Sikurse përmend Cukani në bisedën e saj me kryebashkiakun Gjika, dëshmitari i radhës në procesin ndaj këtij të fundit ishte ish-anëtari i KRT-së, Ardian Musta. I pyetur nga Prokuroria nëse në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit ishte shqyrtuar kërkesa për leje dhe shesh ndërtimi për shoqërinë “EN-Bjo” sh.p.k., ndërtim që është ngritur mbi truallin e Gëzim Fetës, edhe ky i pandehur, ai është përgjigjur: “Kam marrë pjesë në mbledhje, ku është shqyrtuar kërkesa në fjalë. Kam votuar pro dhe mund të them që ka qenë çështja më e lehtë”. Mandej, ai kërkoi që të pyetej edhe për ndërtimin tjetër në zonën e njohur si “3 racat”, ku është ngritur një tjetër pallat disakatësh, që sipas Prokurorisë, jo vetëm procesverbali i KRT-së është falsifikuar nga Gjika, por ndërtimet në këtë zonë nuk lejohen, pasi konsiderohet si zonë e gjelbër. Lidhur me këtë fakt, Musta u pyet nga avokati i të pandehurit Gjika dhe dëshmitari konfirmoi se sipërfaqja që është parashikuar si e gjelbër, as sot nuk është prekur dhe rezulton e tillë. Seanca e radhës në gjyqin ndaj Gjikës dhe të pandehurve të tjerë u caktua në datën 2 qershor 2014, ku pritet të pyeten katër dëshmitarët e fundit të Prokurorisë, për t’ua lënë më pas radhën atyre të mbrojtjes. Shpëtim Gjika akuzohet se në bashkëpunim me vartësen e tij Eleni Dardhaj ka falsifikuar dy leje ndërtimi, mbi bazën e të cilave janë ngritur ndërtime shumëkatëshe, në zonën e njohur si “3 racat” dhe lagjen “Pavarësia”. Të pandehur janë dhe përfaqësuesit ligjorë që kanë bërë ndërtimin e pallateve. Pronarët e truallit përfituan nga amnistia dhe çështja ndaj tyre u pushua.