Tiranë, sekuestrohet një sasi eksplozivi, dyshohet se përdorej nga grupe kriminale TIRANE-  Një sasi e madhe eksplozivi është bllokuar mbrëmjen e sotme në kryeqytet. Efektivët e komisariatit nr.2 në Tiranë kanë bërë të mundur bllokimin i një sasie të madhe eksplozivi, dyshohet të jetë e llojit C4, në rrugën “Sadik Petrela”.  Sipas informacioneve, si fillim u sekuestruan 11 kg lëndë eksplozive e llojit C4. Ndërkohë, policia ka mundur të sekuestrojë gjatë aksionit edhe 150 kg C4. Ndërsa140 kg janë sekuestruar në një banesë tek “Oxhaku” dhe 10 kg C4 janë bllokuar në një makinë.  Ndërkohë, janë ndaluar katër persona në një banese private, dhe priten arrestime të tjera. Nuk jepen detaje të mëtejshme rreth ngjarjes, pasi hetimet e policisë vijojnë.  Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar dhe Ministria e Brendshme, e cila ka theksuar se bëhet fjalë për një sasi të madhe eksplozivi. “Të presim përfundimin e operacionit për detaje më të hollësishme”- kështu është shprehur Ministria e Brendshme.  Nga vendi i ngjarjes, gazetari i News24, Spartak Koka, bën me dije se ky është një operacion i zhvilluar me metoda speciale, fal një hetimi disa mujor. “Ndërkohë, vijon operacioni në disa zona të tjera të Tiranës, kontrolli i banesave, ndaj për këtë fakt, nuk kemi emrat e të ndaluarve.  Pritet që të finalizohet ky operacion. Mendohet se kjo sasi do të përdorej nga grupe kriminale. Këto janë disa të dhëna të policisë së Tiranës. ”- shprehet Koka nga vendi i ngjarjes, për News24. Ndërkohë, nuk dihet origjina dhe destinacioni i sasisë së madhe të eksplozivit.