Droga shqiptare ne Gjermani, Ambasada: Operacioni në tetor të 2013-ës, ja detajet TIRANE-  Ambasada Gjermane në Tiranë reagon në lidhje me lajmin e publikuar në media për sekuestrimin në Gjermani të një sasie të konsiderueshme lëndë narkotike, me prejardhje nga Shqipëria.  Përmes një njoftimi për mediat, Ambasada Gjermane sqaron se “raportimet e publikuara në mediat shqiptare i referohen një deklarate për shtyp të Zyrës së Hetimit Doganor të Mynihut publikuar më 16.05.2014, e cila u tematizua ndër të tjera edhe nga një artikull i “Süddeutsche Zeitung” datë 17/18 maj.”  Ambasada shpjegon detaje të operacionit të nisur që në tetor të 2013-ës nga autoritetet gjermane, në bashkëpunim me ato shqiptare.  “Në kuadër të një kontrolli të përgjithshëm doganor, realizuar më 30.10.2013 në Nürnberg, procesit të verifikimit iu nënshtrua edhe një kamion me leje qarkullimi shqiptare. Një kontroll rutinë i kamionit me ndihmën e qenit antidrogë rezultoi pozitiv, çka shërbeu si shkak për një kontroll më intensiv të bllokut të gurit me peshë 17 ton ngarkuar në atë kamion. Në brendësi të bllokut të betonit u gjendën 374 pako me 685 kg mariuanë (pesha neto 645 kg). Hetimet e gjera realizuar pas kësaj bashkërisht nga autoritet kompetente shqiptare dhe gjermane treguan, se autorë krimesh në Gjermani dhe të tjerë syresh deri më sot ende të paidentifikuar plotësisht në Shqipëri kishin organizuar në bashkëpunim disa dërgesa mariuane nga Shqipëria në drejtim të Evropës Perëndimore”.  “Policia shqiptare së bashku me partnerët e saj gjermanë arriti të identifikonte kamionë dhe persona të tjerë, të cilët eventualisht janë përgjegjës për transporte të tilla të ngjashme në drejtim të Gjermanisë, Italisë dhe Holandës. Kështu autoritet hetimore në Gjermani mundën të kapnin një sasi mariuane prej 150 kg të fshehur në një kamion si dhe të ndalonin autorët tanimë të njohur prej procesit të hapur që në tetor të vitit 2013.”- thuhet në deklaratën e Ambasadës.  Ndërkohë mbështetur në bashkëpunimin ndërkombëtar, përfshirë këtu atë me policinë dhe prokurorinë shqiptare, janë duke u ndërmarrë verifikime të mëtejshme, që kanë të bëjnë me këtë grup kriminal. Prej artikullit të “Süddeutsche Zeitung” të datave 17/18 maj (fq. 44) rezulton se autoritetet hetimore i kishin shënjestruar prej vitesh dy kriminelët me origjinë nga Shqipëria, pa mundur të siguronin deri më tani provat për veprimtarinë e tyre kriminale.”- sqaron Ambasada Gjermane.  MINISTRIA E BRENDSHME: OPERACIONI NE MUAJIN TETOR   Një ditë më parë Ministria e Punëve të Brendshme sqaroi opinionin publik se lajmet e publikuara në një agjenci lokale lajmesh gjermane bëjnë fjalë për një operacion të policisë gjermane të muajit tetor, në hetimet e të cilit bashkëpunon edhe policia shqiptare.  “Në bazë të të dhënave të mbledhura është regjistruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Shqipëri, procedimi penal me nr.233. Aktualisht po hetohet intensivisht nga pala gjermane dhe policia shqiptare për trafik droge edhe në të kaluarën. Partnerët tanë ndërkombëtarë e në radhë të parë Italia, Greqia, por edhe Gjermania, Franca, Austria e me radhë, jo vetëm nuk janë të shqetësuar me punën e policisë së Shtetit në kuadër të goditjes së grupeve që trafikojnë lëndë narkotike, por janë më shumë se sa të inkurajuar nga impenjimi maksimal dhe rezultatet e rëndësishme të arritura veçanërisht gjatë 8 muajve të fundit. Vetëm gjatë muajit Prill 2014 është kapur në vendin tonë 357% më shumë marijuanë, krahasuar me prillin e një vitit më parë.”- deklaroi zv/ministrja e Brendshme.