Lëndimi i CR7 nuk është serioz? Cristiano Ronaldo shpreson të luajë në finale të Ligës së Kampionëve, edhe pse nuk u paraqit në ndeshjen e fundit sezonale të La Ligas kundër Espanyolit. Portugezi duhej të luante në ndeshjen e të shtunës, mirëpo ai u largua nga fusha gjatë përgatitjeve para ndeshjes, pasi që nuk ndihej mirë. Vendin e tij në formacionin startues e zuri Isco, ndërsa mediat filluan të shkruajnë për mungesën eventuale në finalen e 24 majit. Megjithatë, nga Reali thonë se mosinkuadrimi i 29-vjeçarit në përballjen ndaj Espanyolit, ishte thjeshtë një masë paraprake sigurie, pasi që trajneri nuk deshi të rrezikonte. Sido që të jetë, CR7 do të shpresojë që lëndimi i tij të mos jetë serioz në mënyrë që të luajë edhe në finale të Ligës së Kampionëve edhe në Kampionatin Botëror me kombëtaren e tij. Ronaldo ka shënuar 31 gola këtë sezon në La Liga dhe është golashënuesi më i mirë i Kampionatit spanjoll, njëherësh do të ndajë Këpucën e Artë evropiane me sulmuesin e Liverpoolit, Luis Suarez, i cili ka shënuar po aq gola në Ligën Premier.