Nuri Seferi fiton titullin evropian WBO Për të tretën herë në karrierë, Nuri Seferi, ka fituar titullin evropian të kategorisë WBO.  ‘Taysoni shqiptar’ mposhti hungarezin Tamas Lodi për ta rikthyer titullin që e kishte fituar në vitet 2010 dhe 2012.  Për boksierin 37-vjeçar nga Gostivari kjo ishte përballja e 42, nga të cilat i ka fituar 36 dhe i ka humbur gjashtë.  Njëzet nga triumfet e tij, Seferi i ka fituar me nokaut.  Rivali i tij 24-vjeçar ka bilanc prej 13:2. Lodi ka regjistruar 11 nokaute.  Nuri Seferi ka lindur në Gostivar të Maqedonisë dhe nga mosha tetëvjeçare filloi të merrej me mundje – sport me të cilin ishte marrë gjyshi i tij në mënyrë profesionale. Në vitin 1992 familja e tij u vendos në Burgdorf të Zvicrës, ku nga mosha 15-vjeçare filloi të merrej me boks në një palestër lokale.  Në vitin 1998, ai u bë kampion i Zvicrës në kategorinë e amatorëve duke regjistruar një rekord prej 10 fitoresh (me nëntë nokaute).  Në debutimin e tij si profesionist (mars 1999), Seferi mposhti me nokaut që në raundin e parë sllovakun Miroslav Dzurenda në Worb të Zvicrës. Humbjen e tij të parë e regjistroi në vitin 2001 nga ukrainasi Kostyantyn Okhrey, pasi Seferi dëmtoi një brinjë në raundin e katërt.