Edhe PSG dënohet sa City Fati i njëjtë me Manchester Cityn e ka përcjellë edhe Paris-Saint Germainin për thyerje të rregullave financiare të UEFA-s. Ngjashëm si kampioni i Anglisë, edhe kampioni i Francës është dënuar me 60 milionë euro në para dhe skuadra e tyre e Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm do të zvogëlohet në 21 lojtarë. PSG është pajtuar që të kufizojë shpenzimet në afatet kalimtare gjatë sezoneve 2014/2015 dhe 2015/2016 dhe nëse zbaton rregullat e UEFA-s në të ardhmen, atëherë do t’i kthehen 40 milionë euro. Nga klubet që kanë thyer rregullat e UEFA-s janë edhe Zeniti që është dënuar me 12 milionë euro, ndërsa Rubin Kazani, Anzhi dhe Levski Sofia, kanë marrë dënime më të vogla. Edhe tri klube turke – Galatasaray, Bursaspori dhe Trabzonspori – bëjnë pjesë në listën e klubeve që nuk i kanë respektuar rregullat financiare.