Skandali me gjykatat/Serial vrasjesh pas vendimeve të pafajësisë Vrasja e ndodhur sot në Fier duket se ishte e paralajmëruar, nga disa vendime të gjyqësorit. Agron Ymeraj dyshohet se u egzekutua për hakmarrje. Autori dyshohet se është Eni Veshi, i shpallur në kërkim. Por cili është historiku kriminal i kësaj vrasje? Në datë 10.08.2010, Eni Veshi dhe Lorenc Buzi kanë tentuar të vrasin shtetasin Juljan Ymeraj (djali i viktimës, Agron Ymeraj). Për këtë tentativë vrasje, ata janë dënuar nga Gjykata vetëm me kusht. Në datë 31.08.2011, Juljan Ymeraj dhe vëllai i tij, tashmë në liri me vendim gjykate, dyshohen se kanë vrarë Koli Veshin dhe kanë tentuar të vrasin djalin e tij, Eni Veshi (i dyshuari pë vrasjen e sotme). Për këtë ngjarje janë arrestuar si autorë të dyshuar Juliani dhe i vëllai, por me vendim nr. 304 datë 30.09.2013 të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, i deklaroi të pafajshëm dhe vëllerëzit u liruan, megjithëse Prokuroria kishte kërkuar për secilin prej të dyshuarve nga 25 vjet burg. Ky vendim aktualisht është apeluar nga Prokuroria e Rrethit Fier. Në shenjë hakmarrje, dyshohet se Eni Veshi ka vrarë sot babain e 2 vëllezërve Ymeraj.