Legalizimet, ligji i ri: Kush ndërtoi në token e tij nuk paguan para TIRANE- Kuvendi ka miratuar dje, me 74 vota, ndryshimet në ligjin e legalizimeve, duke i hapur kështu udhë procesit të formalizimit të rreth 270 mijë ndërtimeve pa leje. Ndërsa ligji i deridjeshëm parashikonte kryerjen e katër pagesave për realizimin e gjithë procesit të legalizimit, ai i miratuar dje përcakton vetëm dy tarifa (për kategoritë që s’e fitojnë falas legalizimin), të cilat do të jenë: taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe vlera e parcelës ndërtimore.  Në këtë mënyrë do të eliminohen tërësisht tarifa e shërbimit, certifikata, noterime, matjet në terren, si dhe penalitetet. Ndërkaq, 67 mijë familje që kanë ndërtuar në tokën e tyre nuk do të paguajnë praktikisht asgjë: nuk do paguajnë për parcelën e zënë dhe as për procedurat e legalizimit. Ndërsa përsëriti premtimin e mbajtur për legalizimet falas, Rama u ndal te korrupsioni që e kishte pushtuar këtë proces gjatë këtyre viteve, duke nënvizuar se shkaktarët do të përballen me ligjin.  “Këta duhet të shkojnë në burg, sepse ky është krim i pastër ekonomik. Procedurat e legalizimit janë bërë me shpejtësi të paparë brenda një nate në mënyrë selektive. Në mes të një zone të tërë që duhej legalizuar, me qindra shtëpi, është legalizuar vetëm një pallat 12-katësh, që i përket një zyrtari të lartë; madje, në 20 raste rezulton se kanë legalizuar ajrin, pasi objektet nuk ekzistojnë dhe as pronarët”, – tha Rama.  Pagesa e truallit Një prej risive të ligjit të ri ka të bëjë me faktin se nuk do të jenë më qytetarët ata që do të trokasin në dyert e ALUIZNI-t, por do të jenë punonjësit e institucionit ata që do të paraqiten te të interesuarit për të kryer procedurat dhe përgatitur dokumentacionin e nevojshëm. Ndërsa nuk do të paguajë askush që i ka ndërtuar objektet në tokën e tij, dhe jo në atë të të tjerëve apo të shtetit, parcela ndërtimore do të paguhet, por me zbritje dhe me kategori përjashtimesh.  Për të gjitha objektet në vijim, parcela me sipërfaqe deri në trefishin e banesës, është me çmim favorizues, ndërsa pjesa mbi këtë është me çmim tregu: Objektet me qëllim fitimi (dyqane, firma, lokale shërbimi etj.) legalizohen duke paguar vlerën e truallit (me të gjitha reduktimet e derisotme); Banesat e dyta (kush ka deklaruar dy banesa), legalizohen duke paguar vlerën e truallit (me të gjitha reduktimet e derisotme). Qytetari ka të drejtë që 30-50% të faturës ta paguajë me letra me vlerë. Kjo ia ul detyrimin rreth 20%. Nëse qytetari dëshiron të paguajë menjëherë detyrimin, atij i bëhet një zbritje tjetër prej 20%. Familjet e përfshira në skemën e ndihmës ekonomike përfitojnë 30-50% ulje të detyrimit. Familjeve me pjesëtarë para/tetraplegjikë iu falet pagesa.   Kush nuk legalizohet   Ligji i ri përjashton nga procesi i legalizimeve të gjitha ndërtimet pas vitit 2009 të ngritura në troje në pronësi të pronarëve të tjerë apo në pronësi të shtetit. Një prej neneve të ligjit përcakton se përfitojnë të drejtën e legalizimit objektet e ndërtuara pa leje deri më 15.1.2009, pavarësisht nëse ato kanë funksion banimi, veprimtarie ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore; një tjetër përjashton ndërtimet pas kësaj date të ngritura në troje në pronësi të individëve të tjerë apo të shtetit.  “Fusha e zbatimit të këtij ligji shtrihet edhe për ndërtimet pa leje të ngritura pas datës së përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, me kushtin që ato të jenë të ngritura në truall në pronësi të personit posedues të ndërtimit pa leje, si dhe procedura e legalizimit të mos kërkojë kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin”, përcakton pika 2. Gjithashtu, objektet ndihmëse në shërbim të ndërtimeve pa leje legalizohen vetëm në qoftë se janë ngritur brenda sipërfaqes së parcelës ndërtimore. “Fusha e zbatimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private të të tretëve, kur planet e përgjithshme vendore/planet e detajuara vendore parashikojnë ndërtime mbi 5 (pesë) kate nga niveli zero”, përcakton një nga pikat e tjera të ligjit .