Vrasja e 24-vjecarit në Shkodër, nga sherri për një femër SHKODER  -Sherri për një femër është bërë shkak për vrasjen e një të riu në Shkodër. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, kanë bërë me dije se Altin Koçeku, 24 vjeç, është ekzekutuar me automatik pasditen e djeshme në një lokal në fshatin Hot i Ri, në komunën Rrethina, pas një sherri me shokun e tij 17-vjeçar Alban Lulashi.  24-vjeçari Koçeku ka ndërruar jetë në spitalin e Shkodrës për shkak të plagëve të marra dhe hemorragjisë, ndërsa pak orë pas ngjarjes, blutë bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit Lulashi, falë edhe dëshmive të shumta. Mësohet se adoleshti ka deklaruar në polici pas marrjes në pyetje, se ishte konfliktuar me viktimën, pasi ai i kishte ngacmuar të dashurën.  NGJARJA   Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, Altin Koçeku ka shkuar në lokalin e fshatit Hot i Ri për t’u sqaruar me 17-vjeçarin Lulashi (me të cilin kishte shoqëri), për një femër. Të dy janë ulur në tavolinë për t’u sqaruar, por nuk ia kanë arritur të merren vesh, pasi debati mes tyre ka degjeneruar në fyerje të rënda dhe deri në përleshje fizike. 17-vjeçari, pasi ka marrë disa goditje në fytyrë dhe është gjakosur, ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë automatikun. Është rikthyer në lokal dhe ka qëlluar me breshëri në drejtim të Altin Koçekut, i cili në atë kohë po hipte në makinë. Pas kësaj autori është larguar me shpejtësi. Banorë të fshatit kanë transportuar 24-vjeçarin e plagosur me disa plumba në spital, por ai nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë në duart e mjekëve, pasi kishte humbur sasi të madhe gjaku.  POLICIA   Një grup ekspertësh të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër dhe Prokurorisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ku kanë mbledhur të gjitha provat hetimore dhe kanë marrë në pyetje dëshmitarët okularë. Ndërkohë, postblloqe të shumta janë ngritur në zonë si dhe në rrugët kryesore.  Rreth dy orë pas krimit, blutë kanë mundur të zbulojnë edhe vendndodhjen e autorit të dyshuar Alban Lulashi dhe kanë bërë arrestimin e tij, në një banesë të braktisur afër fshatit Hot i Ri. Ndërkohë, policia ka mundur të gjejë dhe sekuestrojë edhe armën e krimit, automatik. Sipas burimeve, për shkak të lëvizjes së shpejtë të policisë, autori nuk ka mundur të lëvizë më larg dhe ka pritur natën për t’u larguar nga fshati. Gjatë arrestimit, 17-vjeçari nuk ka bërë rezistencë por u është dorëzuar efektivëve të polcisë. Nga hetimet dhe marrja në pyetje e autorit ka rezultuar se konflikti mes tij dhe viktimës Koçeku, me të cilin ishin shokë, kishte disa ditë që kishte nisur dhe shkak ishte bërë një femër. Mësohet se viktima kishte ngacmuar vajzën me të cilën 17-vjeçari kishte një lidhje, çka nuk është pranuar nga ai vetë. Që nga fillimi i vitit 2014, në qarkun e Shkodrës kanë ndodhur 8 vrasje, nga të cilat janë zbardhur vetëm tri, duke përfunduar në prangat e policisë edhe tre autorët e krimit.