Morën peng dy kosovarë, tre të rinj para gjyqit TIRANE -Prokuroria e Krimeve të Rënda i dorëzon drejtësisë tre të dyshuar, të cilët akuzohen për dy pengmarrje. Ardjan Muja, Lumir Gashi dhe Shkëlzen Duraku, do të ulen në kafazin e hekurt, për të dhënë llogari para Gjykatës së Krimeve të Rënda, për marrjen peng të kosovarit F. Curri, të cilit i kishin vënë një gjobë prej 6 mijë eurosh, duke i premtuar se do ti siguronin dy pasaporta shqiptare për të dhe kushëririn e tij.  Ngjarja e rëndë ndodhi më 26 shtator 2013, kur dhe u vunë në pranga të dyshuarit. Prokuroria gjatë hetimeve ka zbardhur dhe një tjetër pengmarrje të kryer nga të pandehurit, ku në kërcënimin e armëve kanë tentuar të detyronin tre kosovarë që t’u jepnin shumën prej 30 mijë eurosh. Kosovarët kishin ardhur për të biseduar për shitjen e dy makinave të blinduara. Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë liruar dy prej pengjeve dhe kanë mbajtur mikun e tyre, derisa ata janë kthyer nga Kosova dhe u kanë dhënë shumën prej 10 mijë eurosh. Më poshtë zbardhen të plota të dyja historitë e pengmarrjeve.  Rasti i parë   Në datën 26.09.2013, L. Curri, me cilësinë e të dëmtuarit në këtë proces, banues në fshatin Reznik, Kosovë, është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës, ku ka kallëzuar se në datë 25.09.2013, rreth orës 16.00, kushëriri i tij F. Curri është mbajtur peng nga të pandehurit Shkëlzen Gashi, Lumir Gashi dhe Ardjan Muja për të përfituar prej tij shumën 6000 euro. Nga hetimet rezulton se i dëmtuari F. Curri njihet me të pandehurin Shkëlzen Duraku pasi kanë vuajtur dënimin në Burgun e Mitrovicës. F. Curri kishte biseduar më parë me Shkëlzenin, i cili i kishte premtuar se do t’i siguronte dy pasaporta biometrike shqiptare kundrejt vlerës 10.000 euro. F. Curri dhe L.Curri ishin të interesuar për pasaportat, pasi do t’i përdornin për të shkuar në Gjermani tek vëllai i L. Curri. Për këtë qëllim, në datën 25.09.2013 F. dhe L. Curri kanë kaluar me makinën e tyre pikën e kalimit kufitar Morinë, ku janë takuar me Shkëlzen Durakun dhe dy shokët e tij Lumir Gashin dhe Ardjan Muja. Të pandehurit ishin në makinën tip “Golf 4” me targë AAxxxxCD. Pasi janë takuar kanë vazhduar rrugën me makinat e tyre në drejtim të fshatit Shtiqem, në afërsi të fushës së aviacionit Kukës. Pasi kanë futur makinën në një rrugë dytësore, të pandehurit kanë detyruar të zbresin nga makina F. dhe L. Curri dhe nën kërcënimin e armëve u kanë kërkuar një shumë prej 6000 eurosh. Për të siguruar paratë ata kanë detyruar L…, që të shkojë në Kosovë, ndërsa F…. e kane mbajtur peng deri në dorëzimin e shumës së parave të kërkuara. Në këto kushte, L…. është nisur për në Kosovë, kurse të pandehurit e kanë çuar F….. në shtëpinë e A.C, i afërm i Lumir Gashit.  I pandehuri Lumir mbante një pistoletë të tipit “TT” dhe kur dilte nga dhoma pistoletën ia linte Shkëlzenit. Në këto kushte, F…. është ndierë i kërcënuar dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’u larguar, për më tepër që ndodhej në një vend, i cili ishte i panjohur për të. I dëmtuari L. Curri, ka shkuar në polici dhe ka kallëzuar faktin se kushëriri i tij F…. është mbajtur peng nga të pandehurit. Policia i ka dhënë udhëzime kushëririt të pengut dhe ka ndërhyrë duke vënë në pranga të dyshuarit, pikërisht kur dhe do të bëhej shkëmbimi. Kështu, L…. ka komunikuar në telefon me të pandehurin Shkëlzen Duraku, të cilit i ka thënë se kishte siguruar gjysmën e parave dhe kanë rëndë dakord të takohen në Morinë. Në datën 26.09.2013 të pandehurit Shkëlzen, Ardjan dhe Lumir bashkë me pengun F….. kanë shkuar në Morinë për të bërë shkëmbimin. Në këtë moment policia ka ndërhyrë duke arrestuar në flagrancë të pandehurit Shkëlzen Duraku, Lumir Gashi dhe Ardjan Muja.  Rasti i dytë   Prokuroria për Krime të Rënda i akuzon tre të pandehurit edhe për mbajtjen peng në dëm të B. Abazi, A. Abazi dhe A. Gashi. Rezulton e provuar se në datën 11 shtator 2013 shtetasi B. Abazi banues në Prishtinë bashkë me shokun e tij A. Gashi dhe nipin A. Abazi janë takuar në Kukës me të pandehurit Shkëlzen Duraku, Ardjan Muja, Lumir Gashi për të përfunduar bisedën që kishin bërë më parë për shitjen e dy makinave të blinduara. Të pandehurit i kanë kërcënuar me pistoletë dhe kallashnikovë për t’i detyruar të dorëzonin 30 mijë euro. I pandehuri Lumir Gashi ka biseduar me A. Gashin dhe B. Abazin që të dorëzonin 10 mijë euro. B. Abazi dhe A. Gashi kanë kundërshtuar se nuk kishin para për të paguar, por Lumiri e ka goditur B. Abazin në fytyrë dhe një person tjetër me emrin “Dan” e ka goditur në kurriz me shkop bejsbolli. Në këtë moment Shkëlzeni ka qëlluar në gjoks A. Gashin me qytën e automatikut. Të pandehurit u kanë lidhur duart A. Gashit dhe B. Abazit, kurse A. Abazin e kanë urdhëruar të shkonte në Kosovë dhe të siguronte 10 mijë euro, përndryshe B. Abazi dhe A. Gashit do t’i prisnin veshët dhe gishtat. A. Gashi ka insistuar të shkonte në Kosovë me A. Abazin. Të pandehurit kanë pranuar dhe Lumir Gashi e Ardian Muja kanë përcjellë me makinën e tyre A. Gashin dhe A. Abazin deri në Pikën Kufitare Morinë, kurse B. Abazin me duar të lidhura e kanë futur në bagazhin e makinës tip “Golf” të Ardjan Mujës. Më pas të pandehurit Ardjan Muja, Shkëlzen Duraku dhe Lumir Gashi bashkë me pengun B. Abazin janë nisur për tek një lokal pranë shtëpisë së Lumirit, ku kanë qëndruar derisa A. Gashi i ka telefonuar Lumirit dhe i ka thënë se kishte siguruar paratë. Më pas janë nisur në drejtim të pikës kufitare të Morinës, ku do të bëhej shkëmbimi. Edhe B. Abazi ka komunikuar në telefon me nipin e tij A. Abazi, i cili i ka thënë se paratë po i sillte një shoku i tyre P. Isufi, i cili drejtonte një makinë tip “Audi A6”.  Në autostradë janë takuar me P. Isufin, i cili ka zbritur nga makina dhe shumën 10 mijë euro ia ka dorëzuar të pandehurit Lumir Gashi. Pasi kanë marrë shumën e parave, kanë lënë të lirë B. Abazi, i cili ka hipur në makinën e P. Isufit dhe është kthyer në Kosovë.